Analistët nuk iu besojnë deklaratave të politikanëve vendor për liberalizimin e vizave, thonë se nuk duhet të merren seriozisht

16.07.2019 15:08:14

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është larg dita kur do të bëhet liberalizimi i vizave, njohësit e kësaj fushe për Telegrafin kanë thënë se janë skeptik nëse institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv rreth procesit të liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti, dhe se deklaratat e tilla nga politikanët vendor nuk duhen marr seriozisht.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka thënë se gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020.

“Rrjedhimisht, duhet të jemi skeptik se institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti”, ka thënë ai.

Shasha ka sqaruar se në korrik të vitit 2018 Komisioni Evropian rekomandoj liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa në shtator 2018 Parlamenti Evropian votoj pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për të siguruar lëvizje e lirë për qytetarë e Kosovës.

Siç tha ai, ky qëndrim i Parlamenti Evropian u ri-konfirmua më 28 mars 2019.

“Sidoqoftë, përkundër vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, Vendet Anëtare të BE-së apo Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjte me dy institucione të cekura. Dhe tani qysh nga muaji shtator 2018, Këshilli i BE-së nuk ka ndërmarr hapat drejt marrjes vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Shasha.

Ai theksoi se janë katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën.

1. Mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tre vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht, vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës.

2. Raporti i Vendit 2019 identifikoj sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në gjitha nivelet institucionale dhe institucionet e drejtësisë janë duke ndërmarr veprimet nën ndikimin politik. Kosova u konfirmua se është vend i fundit në Ballkan në kuadër kapitujve të ndërlidhur me sundimin e ligjit – kapitulli 23 dhe 24.

3. Liberalizimi i vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019. Gjatë këtij viti, institucionet e BE-së do të janë të fokusuara në konstituimin e institucioneve të reja të BE-së të dalura nga zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, negociatat për buxhetin e BE-së për 2021-2027 dhe menaxhimin e BREXIT-it.

4. Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca dhe Holanda”.

Edhe Albana Rexha, hulumtuese e lartë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se deklaratat e politikaneve rreth çështjes së liberalizimit të vizave nuk duhen marr shume seriozisht.

“Vlerësoj se nëse bazohemi në deklaratat e politikanëve rreth liberalizmit të vizave, në praktikë do të ishim duke lëvizur lirshëm tash e shumë vite. Kjo është një indikacion i asaj se deklaratat e politikaneve rreth kësaj çështje nuk duhen marr shume seriozisht”, ka thënë ajo.

Rexha potencoi se ka shumë pak shpresë se gjatë këtij viti Këshilli i Ministrave të Evropës mund të dal me vendim pozitiv rreth vizave për Kosovën.

“Kjo për arsye se deri më tani nuk kemi parë një qëndrim unik sa i përket zgjerimit të BE-së dhe hapjes së kufijve nga ana e shteteve të BE-së. Ky pozicion lehtë mund të vërehet kur analizojmë deklaratat e Merkel në njërën anë, e në anën tjetër ato të Macron i cili në çdo rast është në përkrahje të reformimit të brendshëm të BE-së para zgjerimit të saj. Përveç mos-unitetit në këtë drejtim, ka edhe mungesë të vullnetit politik për të adresuar çështjen e vizave ndaj Kosovës në Këshill nga disa shtete duke përfshi Holandën e cila është skeptike. Kjo bën që çështja e liberalizimit të mos jetë prioritet për shtetet e BE-së.  Një faktor tjetër që mund të shtyjë këtë vendim është edhe koha dhe përqendrimi që nevojitet për konstituimin e institucioneve të reja të BE-së si dhe menaxhimi i Brex-it. Andaj, duke u bazuar në këto fakte dhe disponimin e disa shteteve të BE-së ndaj hapjes së vizave, mbes skeptike se liberalizmi mund të ndodh gjatë këtij viti”, tha ndër të tjera hulumtuesja e lartë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Albana Rexha.

Ndërkaq, ndryshe nga Haradinaj, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk dëshiron të jap afat kohor për liberalizimin e vizave.