Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP. Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane.
Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëmekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.
Një pjesë e opozitës serbe beson se Angela Merkel, me qëndrimin e saj dashamirës ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe lëvizjet e tij autokratike, e bëri luftën politike të opozitës edhe më të vështirë për ndryshime dhe kjo favorizoi Partinë Përparimtare të Serbisë në pushtet (SNS).
Intersat gjermane
Ndaj nuk befason që kureshtja në Beograd lidhur me zgjedhjet parlamentare në Gjermani është e kuptueshme, thotë për DW Marko Savkoviq nga Fondi për Përsosmëri Politike. “Por duhet të presim pak deri në formimin e qeverisë së re dhe të shohim nëse do të ndryshojë diçka në politikën ndaj Serbisë dhe ndaj Ballkanit në tërësi.