BEJLERESHA-portret (marre nga Libri “ATELIE E SHPIRTIT ,jeteshkrime “-fq.-201-5).

16.08.2018 13:12:55
Luan Lumeka KALANA

“Florinjtë na kanë rënë, por tengellat na kanë mbetur.”-Nëna Zëmbako.
-Gruas sime të shtrenjtë e të thjeshtë, bashkëshorte dhe
bashkudhëtare gjysmë shekullore në dy kontinente, në disa qytete në
Shqipëri edhe në Amerikë, konsulente letrare, kritike e mirëfilltë dhe
inspiruese e botimeve dhe shkrimeve të mia.
-Autori I Librit,-L.K.
-Portret i skicuar me penë. Rruga e gjatë e portretit të jetës,
mbijetesa e lodhshme me sakrifica, por me vullnet për të arritur
të pamundurën, duke iu përshtatur të dy sistemeve, në dy
kontinente.
Lindur e martuar në fshatin Vishocicë të Devollit, me punë e
aktiviste shoqërore në qytetet Bilisht, Korçë e Tiranë dhe më pas
me familje në SHBA, në shtetet Konektikat dhe Florida. Nga një
vajzë e ndrojtur, kokulur, në një grua të qeshur, të dashur e të
nderuar në rrethin familjar dhe në mjedisin shoqëror; nga një
shkollare e shkëlqyer, intelektuale, inteligjente, në një ekonomiste
të talentuar në profesion, e dalluar dhe e përkushtuar në të
gjitha punët; nga një ndër traktoristet e para shqiptare, në një
shofere të kujdesshme dhe të palodhur në rrugët e Amerikës;
nga një aktiviste shoqërore e shquar e lëvizjes për emancipimin
e gruas, në organet e pushtetit lokal dhe deputete e Kuvendit
Popullor të Shqipërisë; nga një grua e kulturuar fshatare,
pasionante, e talentuar, në një qytetare moderne, devolleshë
bashkëkohore, e mençur, që flet gjuhë të huaja dhe navigon
internetin, punon në kompjuter, konsulente, kritike letrare dhe
insipiruese e shkrimeve të mia; nga një edukatore në kopshtin e
fëmijëve, në një nënë dhe gjyshe e dashur e gojëmjaltë për
fëmijët e mbesat; nga një ekonomiste specialiste me emër në
Shqipëri, në një punonjëse arke e dalluar në supermarketet
“Shop Rite” dhe “Publix” në SHBA.
Të shkruash për gruan, femrën shqiptare është kënaqësi,
shenjtërim perëndeshe, princeshe, epitete pa mbarim, por dhe
krenari, një burim muzash poetike, ndërsa për gruan tënde është
e vështirë, ndjehem kokulur e i ndrojtur, se ajo është modeste si
gjithë gratë e tjera, – kështu deklaron vetë, – dhe nuk pranon
lëvdata e teprime, pa le kur të lexojë këtë shkrim dhe librin, sa
do të më shajë: “Ç’ke bërë kështu?!”
Prandaj do mundohem ta skicoj shkurt portretin e saj, vetëm
në disa grimca të bashkëjetesës sonë gjysmëshekullore.
Bejleri – mbiemri, por dhe nga fisi i bejlerëve të fismë,
patriotë të Vishocicës në Devoll, e bija e Tekiut, traktoristit të
vjetër dhe punëtorit të madh. E bija e Muazezit, një grua nga fisi
Hysi në Vishocicë, për të cilën ajo është krenare, për rrënjët
fisnike dhe punëtore. E mbesa e gjyshe Zëmbakos, një grua nga
një familje patriote nga Arrëza e Devollit, e martuar me
Sulejman Bejlerin, një burrë kapedan dhe trim, bej nga mbiemri
e nga fisi, por dhe nga grada që kishte shërbyer në ushtrinë
turke.
Ime shoqe i ngjason gjyshe Zëmbakos nga urtësia e
mençuria, nga shpirti humanist e gojëmbëlsia, jo vetëm në
familje por edhe në shoqëri – këtë të vërtetë të personalitetit të
saj e thonë të gjithë, edhe shoqet në Amerikë, blerësit dhe stafi i
kompanisë e mbajnë në gojë dhe foton e saj e gjen gjithmonë në
stendat e punonjësve të dalluar.
Si grua dhe nënë ajo është model në edukimin e fëmijëve, të
mbesave e nipërve të saj, për këtë jam dëshmitar okular, nuk u
vë dorë as fëmijëve tanë, as mbesave që ka rritur, aq sa Katerina,
mbesa jonë e parë, kur mësoi të flasë shqip, fjala e parë ishte
“nëna”. Pa le kur u pagëzua në kishë, ishte e vogël e kishte frikë
nga prifti, prandaj thërriste e qante me të madhe: “Nëna! Nëna!”
Ime shoqe mundohet t’i edukojë e t’i mbajë gjallë traditat e
jetës familjare, sidomos të folurit shqip, është debulesë dhe
këmbëngulje e saj.
Gjysmë shekulli dashuri bashkëshortore dhe jetesë familjare
për dy të rinj të dashuruar është një jetë e tërë, enciklopedi,
romantizëm, plot drama e surpriza, të ndjekur nga fati i lumturisë
duke ndërtuar foletë si shtegtarë në dy kontinete, do të
duheshin volume për t’i paqyruar në letër.
Më bukur se kushdo ka shkruar poezi për dashurinë tonë
poeti lirik Skënder Rusi, një poezi për princeshën vishocare,
(kushërirën e tij) dhe kolegun moshatar. “Mësuesi dashuron
traktoristen” ishte titull i poezisë që u bë dhe tekst kënge në
anketat muzikire të Radio Tiranës. Ishte mosha më e bukur e
rinisë kur dashuroja traktoristen lozonjare, vajzën e brishtë që
sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe punonte me atin traktorist si
ndihmëse, ndër të parat në përqafimin e lëvizjeve emancipuese
të femrave shqiptare. Në librin “Loje poetike me tanka” me
përkthime nga Skënder Rusi, dhuruar gruas sime, shkruan autografin:
“Zhulës, kushërirës sime simpatike, që rrezaton mirësi e
dashuri të vërtetë.”
Kur xhirohej filmi “Lezja”, Elida Janushi Topçiu – komshia
jonë, partnere në teatrin amator të Vishocicës, aktorja a Teatrit
Kombëtar dhe artiste filmash, luante rolin kryesor të traktoristes.
Erdhi në fshat të mësonte të ngiste traktorin nën kujdesin e
Zhuljetës. Sa bukuri, të dyja ngisnin traktorin mes pluhurit që
ngrihej si re saull, duke kënduar…
Pikërisht në vitet më të bukura rinore, dashuria jonë
shndërrohet në platonike, pasi u ndamë fizikisht nga largësia:
më zuri shërbimi ushtarak i detyrueshëm. Më morën ushtar në
marinë në Durrës për katër vjet. E tmerrshme për atë moshë pasi
kishim dashur të hapnim fejesën tonë. Katër vjet më ka larë me
lot dashurie dhe me para që më dërgonte çdo 15-ditësh nga rroga
që merrte në SMT. Letrat e saj të dashurisë ishin shkruar me lot
zemre. E kam thënë e shkruar në librat e mi – ato janë krijimet
më të bukura letrare që mund të kem lexuar, por do t’i lëmë si
relike të dashurisë së zjarrtë rinore.
Në shumicën e viteve të punës ajo ishte kuadër në ekonomi,
llogaritare dhe përgjegjëse në fermën e blegtorisë. Sa i deshte
dhe i respektonte punonjësit, qanin hallet së toku, i ndihmonte
me të holla, e pabesueshme, por dhe sot e kujtojnë me mall e
respekt nga Shqipëria.
Në prezantimet tona në më se dy dekada këtu në Amerikë me
miqtë vendas, kur u shpjegojmë emrat tanë, e kanë të vështirë ta
shqiptojnë emrin Zhuljeta, por shpejt e përmbledhin dhe thonë:
“Oh, Romjou ënd Xhuljet” nga tragjedia e Shekspirit. Por
dashuria jonë nuk ka qenë tragjedi por dramë nga hallet, nga
shëndeti im, nga shkaqe ekonomike, me gëzime, vuajtje,
sakrifica, por kemi mbijetuar. Sidomos kur erdhëm në Amerikë,
ajo tregoi zgjuarsinë e vullnetin e saj. “I kemi rënë murit me
kokë që u përshtatëm në jetën amerikanë, – u thotë ajo miqve dhe
shokëve. – Erdhëm me para borxh, me lugë në brez. Mësuam
gjuhën, makinat, kompjuterin duke punuar, pa vajtur në shkolla,
u bëmë shtetas amerikanë, kemi dhënë provime të vështira.”
Erdhëm në Amerikë në vitet ’90 me llotarinë amerikane,
kaluam vështirësi të shumta, por shqiptarët e parë na ndihmuan
shumë, nuk ia harrojmë tërë jetën. Dhe atë ndihmë e patëm si
stimul për t’u shërbyer shqiptarëve, miq dhe shokë që erdhën
pas nesh. “T’i ndihmojmë, mos harrojmë si kemi vuajtur ne në
fillim,” – më thoshte Zhula dhe të dy, bashkë me fëmijët, u bëmë
copë duke i ndihmuar: që nga dërgimi i garancisë deri në
akomodim, nga gjetja e punëve te blerja e makinës, nga mbajtja
në shtëpinë tonë deri te çuarja e fëmijëve të tyre nëpër shkolla.
Më vjen rëndë ta përmend, por, kur thotë populli, u kemi lëshuar
krevatin dhe dhomat tona, i kemi mbajtur me muaj në shtëpi dhe
vetë flinim korridoreve e dyshemeve. Zoti të na i dijë!
Po shkruaj për të veçantat e saj. Më ka dashur më shumë se
burrë, me një dashuri të pakufishme për kushtet e shëndetit tim
të kërcënuar, operuar disa herë nga zemra me by-pass dhe tani
më ka qëndruar te koka, pa gjumë, në karrige, me lot dhe fjalë
dashurie, më ka mjekuar e shëruar plagët, si mjeke dhe
infermiere specialiste dhe tepër e kujdeshme.
Duke i mbyllur këto rreshta, do të përmend dhe një pjesë
nga jeta jonë familjare. Të rralla janë sot nuset e vjehrat që kanë
shkuar aq mirë, të duhen e të respektojnë njëra-tjetrën. Jetoi
gjysmë shekulli me nënën time në Shqipëri, martoi katër motrat
e mia më të vogla, i priti e i përcolli me dhëndurët e fëmijët dhe
asnjëherë nuk iu thye zemra, deri sa erdhëm në Amerikë. Motrat
e mia e kanë konsideruar dhe e thërrsin motër, ndërsa nëna ime
90-vjeçare akoma dhe sot, kur betohet, nuk zë be për mua, si
djalë të vetëm, por për nusen, Zhuljetën, që e do njëlloj si çupat.
“Ti ke qenë shtylla e familjes Kalana,” – i thotë nëna asaj. Kur
bie fjala për t’i dërguar nënave tona ndonjë lekë për pleqëri, se
pensionet i kanë minimalë, nga kursimet tona, ajo më thotë: “Do
t’i heqim nga goja jonë e do t’u dërgojmë.” Për nënën e saj i
digjet zemra, por ajo ka dhe dy djem të tjerë prandaj nuk i
mbajnë sytë nga Zhula. Pyesni po nuk besuat.
Ja kjo është gruaja e thjeshtë, punëtore, amvisë, nikoqire,
intelektuale, bashkëshortja ime, devollesha amerikane.
Epilog
Fytyra jote – pasqyrë e bardhë,
liqen kaltërosh ku lëkunden valë,
ato që s’thua, nuk t’i mban zemra,
t’i lexoj në fytyrë, te rrudhat në ballë….
Florida, 2017
& Shkronjesi Modest

Fotografia e Luan Lumeka Kalana