Doruntina Maloku: Veseli kërkon tani hetimin e SHIK-ut, por PDK nuk mund ta hetojë veten

11.01.2018 12:08:28

Në vendin ku ishte vrarë para 19 viteve është kujtuar aktivisti dhe veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Enver Maloku.

Në mesin e të pranishmëve në këtë ditë përkujtimore, përveç familjarëve, kanë marrë pjesë edhe eksponentë të lartë të LDK-së. Deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri, në një konferencë për media, ka theksuar se sot po bëhen 19 vjet që nga dita e vrasjes se Malokut, vrasje e cila sipas tij, ka qenë makabre dhe tinëzare.

“Sot ishim këtu për ta nderuar figurën e Enver Malokut, njeriut punëtor, të penës dhe atdhetar, i cili në kohën më të vështirë bëri që bota t’i njeh problemet që ishin në Kosovë, në kuptimin e diskriminimit dhe dhunës që bëhej ndaj shqiptarëve”, ka shtuar Beqiri.

Sipas tij, organet e drejtësisë duhet që ta zbardhin rastin sa më parë, duke shtuar se detyra e politikës mbetet krijimi i parakushteve për ta zbardhur këtë ngjarje dhe duke mos shkaktuar pengesa në këtë drejtim.

Në anën tjetër, e bija e ish-veprimtarit Enver Maloku, Doruntina, ka thënë se kur ka qenë LDK-ja në Qeveri, ka qenë e gatshme ta hetoj SHIK-un, sepse sipas saj, në atë kohë do ta kishin shumicën në komisionin që do ta hetonte një gjë të tillë, dhe në këtë mënyrë sipas saj, nuk do të lejoheshin manipulimet. Deputetja Doruntinë Maloku ka thënë se Veseli në kohën kur LDK-ja ka kërkuar themelimit e Komisionit për Hetimin e SHIK-ut, ka qenë kundër.

“Në këtë kohë kur Kadri Veseli kërkon të formohet një komision i tillë, ne nuk do ta lejojmë, për arsye se nuk duam që PDK ta hetojë veten. Ajo që ne si familje kemi pritur nga Qeveria, është që t’i heq duart nga drejtësia dhe t’ia lë duart e lira prokurorisë”, ka theksuar Maloku.