Edhe Kocijançiq konfirmon çështjen e Çamërisë sikurse komisioneri Hahn

12.10.2016 21:16:16

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, përsëriti qëndrimin e Brukselit që nxit dialogun mes Shqipërisë dhe Greqisë për të diskutuar për çështjet e mbartura mes dy vendeve. Një prej çështjeve të mbartura mes dy vendeve është edhe Çështja Çame, e cila u citua saktësisht nga Komisioneri Johanes Hahn dy ditë më parë, kur kërkoi nga Shqipëria dhe Greqia të zgjidhin problemet e mbartura mes tyre. Zëdhënësja Maja Koçijançiç, është pyetur nga gazetarët grekë në Bruksel për deklaratat e Komisionerit Hahn, pikërisht në pjesën ku ai përmendi edhe Çështjen Çame.

Zëdhënësja e BE-së konfirmoi qëndrimin e Komisionerit Hahn, tek theksoi se Komisioni Europian nxit dy vendet të zgjidhin çështjet e mbartura.

Deklarata

“Kur flitet për Shqipërinë dhe Greqinë, Komisioni është informuar në fillim të vitit nga të dy vendet se ka qëllime për të thelluar dialogun mes tyre dhe të diskutojnë një sërë çështjesh të mbartura, që kërkojnë qartësi për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Dhe në këtë kontekst, Komisioneri rekomandoi veçanërisht propozimin e palës greke për të caktuar një platformë, e cila mund të lejojë më shumë dialog konstruktiv, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të qartësohen mes dy shteteve. Po në këtë kontekst, Komisionieri inkurajoi të dy vendet që të vijojnë bashkëpunimin. Kjo është dhe fryma, në të cilën Komisioneri i përgjigjet një numri pyetjesh nga anëtarët e Parlamentit Europian dhe ato duhet të shihen në këtë dritë. Ne jemi të informuar mbi qëndrimet e dy vendeve për të thelluar dialogun dhe duke i inkurajuar ata që të shmangin keqkuptimet e mundshme mbi çështjet më të rëndësishme”, tha Koçijançiç.

Athina zyrtare është e revoltuar me qëndrimet e Komisionerit Johanes Hahn, ndërkohë që mediat greke i kanë dhënë një hapësirë të madhe këtij lajmi.