Jeffrey M. Hovenier, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Kosovë, tha të martën para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se nëse konfirmohet, ai do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike.
Një përparësi tjetër në punën e tij, tha ai, do të jetë mbështetja e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kjo mbetet thelbësore për stabilitetin rajonal dhe kritike për qëllimin tonë strategjik të qëndrueshëm të një Evrope që është krejtësisht e lirë dhe në paqe”, tha Hovenier.
“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, tha ai.
I pyetur nga kreu demokrat i Komisionit, Bob Menendez, për rolin e Serbisë në procesin e normalizimit, Hovenier tha se si çdo gjë tjetër në Ballkan, problemi është i shumë anshëm dhe kërkon punën e të dyja palëve. Ai tha se theksi i tij është tek Kosova…
“Por unë do të pajtohesha me ju se edhe autoritetet në Serbi, kanë nevojë po ashtu që të nxiten në këtë drejtim dhe nuk mund ta kundërshtoj vlerësimin tuaj se bashkëbiseduesit serbë nuk kanë vepruar gjithmonë në këtë drejtim në këtë proces”, tha Hovenier.
Në përgjigje të një pyetjeje nga senatori republikan, Ron Johnson, për përpjekjet e administratës së kaluar të ish presidentit Donald Trump për përqendrimin tek problemet ekonomike si rrugë për përmirësimin e marrëdhënieve, Hovenier ra dakord se angazhimet e Uashingtonit ishin një hap i rëndësishëm pozitiv për uljen e tensioneve, shkruan Zëri i Amerikës.
“Nëse konfirmohem një nga gjërat që shpresoj të bëj duke bashkëpunuar me kolegun tim nga Beogradi, është të ndjek zbatimin e mëtejshëm të angazhimeve që u arritën gjatë administratës së fundit”, tha ai.