Edi Rama, Shqipërinë me halle, e bëre me shumë halle

29.11.2017 11:06:09

Vitet e pavarësisë nuk t’i fal kush dhe për shqiptarët, ruajtja e saj është një përpjekje e përditshme. Por Shqipërinë me halle, gjatë këtyre 5 viteve, Edi Rama e ka kthyer në një “Shqipëri me shumë halle”. Integrimi në BE, lëvizja e lirë dhe mirëqenia ekonomike, janë maja malesh më të vështira gjatë qeverimit të Ramës, sesa ishin në 100-vjetorin e pavarësisë. Pyetja e çdo shqiptari është: Pse po ecim mbrapsht?

Shqipëria ditën e djeshme më 28 nëntor festoi përvjetorin e 105-të të Pavarësisë së saj, por kjo ditë historike, ku duhet të bashkohet çdo zemër shqiptari me flamurin kuq e zi, nuk është shoqëruar me entuziazmin e viteve të mëparshme. Pavarësisht se organizime zyrtare ka pasur në çdo bashki të vendit, janë shqiptarët e thjeshtë, që kanë treguar se pesimizmi i tyre në këtë ditë më shumë se kurrë më parë ka arritur kulmin. Shpresat për një Shqipëri demokratike, me mirëqënie dhe zhvillim siç edhe e ka përshkruar Ismail Qemali në deklaratën e tij për të ardhmen e vendit, duken se janë shuar. Në zemrat e shqiptarëve, të rinj e të rritur nuk ka më ndriçim e zjarr dhe për këtë natyrisht që ka faj kjo qeveri e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, që ka shkatërruar edhe ëndrrat për të ardhmen. Vendi festoi dje Festën e Flamurit, duke mbartur mbi supe damkën e narko-shtetit, të cilën ia vendosi Edi Rama dhe klika e krimit të organizuar, që ka marrë pushtetin prej vitit 2013. Shqiptarët ndihen të turpëruar nga establishmenti i tyre, që bashkëjeton me krimin dhe bandat e ushqen veset e këqija, ndryshe nga ç’ndodhte në 1912 kur patriotizmi dhe dëshira për të zhvilluar Shqipërinë përbënin energjinë e nevojshme për të mbajtur gjallë shpresën e ëndrrat. Varfëria që është ulur gjithashtu këmbëkryq në çdo vatër të qytetarëve e shesh qyteti, është një tjetër element i rëndësishëm që e ka gjunjëzuar këtë popull dhe ka venitur harenë e gëzimin e shfaqur dikur në këtë ditë historike për kombin. Ky 105 vjetor i pavarësisë e gjeti Shqipërinë më të vogël në numër banorësh, sepse ndryshe nga 5 vite më parë, kushtet e përkqësuara ekonomike, papunësia në rritje, gjobat dhe taksat e larta të vendosura nga qeveria kanë detyruar 200 mijë shqiptarë që të ngrenë plaçkat e të braktisin tokën e tyre në kërkim të mundësive për mbijetesë. Flamuj nuk shihen në dritaret e shtëpive e lëvizje aq më pak në rrugët e qyteteve, pasi për shqiptarët bashkimi nuk përbën më fuqinë për të ecur përpara, sepse në vendin e drejtuar nga Edvini fitojnë vetëm arrogantët, kriminelët, oligarkët e pasuruar duke shkelur ligjin dhe politikanët si vetë kryeministri, që vjelin sa të munden nga taksat e qytetarëve, ndërsa të pamundurit lihen të vajtojnë në vetmi e harresë. Edi Rama, Shqipërinë me halle, gjatë 5 viteve të “diktaturës rilindase” e ka kthyer në një “Shqipëri me shumë halle”, e cila nuk shihet si strehë e sigurt nga banorët e saj të kahershëm që janë detyruar të luftojnë përditë për të ruajtur si sytë e ballit këtë truall, të cilin ia lanë trashëgimi të parët vizionarë dhe ëndërrimtarë. Me kryeministrin e sotëm shqiptarët janë populli që duhet të kaplojë një mal me halle dhe probleme për t’i dalë mbanë kësaj toke dhe në 105 vjetorin e Pavarësisë së tyre janë ndjerë ndoshta më të nënshtruar se kurrë, jo nga armiqtë e jashtëm por nga hienat që gëzojnë pushtetin. Shoqëria jonë shikon sesi mjerimi zgjaton rrënjët dhe po përjeton kështu një depresion brutal që është produkt i vullnetit politik të kryeministrit baron të drogës, ndaj kështu rrezikojmë të mos ngremë kurrë krye e mos të përjetojmë asnjëherë gëzimin dhe lavdinë që na falte dikur 28 nëntori, si dita më e shenjtë në historinë e këtij kombi.