Filmi “Taken 2” paraqet nëntokën shqiptare,e jo shqiptarët si popull!

25.02.2019 21:34:52

Nga Gani Mehmetaj

Shqiptarët e nëntokës! Filmi “Taken 2”, triler-aksion, prodhim i Francës, sipas skenarit të Luc Bezonit (Luk Beson) dhe Robert Mark Kamenit, nën regji të Olivier Megatonit. Me Liam Nisenin (Liam Nesson), Megi Gresin (Magi Grace), Famke Jansenin (Famke Janssen), Rade Sherbexhinë. Skenari i filmit “Taken 2” është i dobët, ka pasaktësi të pafalshme, shmangie e shkarje, është skenar për shikues debilë, që nuk e kanë informacionin elementar as për gjeografi, as për etnopsikologji, është një përzierje që ta përzien edhe barkun. Regjisori Oliver Megaton wshtë më paragjykues, më i çoroditur dhe më konfuz se sa të gjithë filmat e tjerë për mafinë shqiptare. Përmbajtja e shkurtër mund të jepet në disa rreshta: ish-agjenti i CIA-s i ka fiksim mafiozët shqiptarë. Ata e ngacmojnë sërish, sepse duan të hakmerren për vrasjet e mëhershme (na kujtohet filmi “Taken”, që po ashtu ka temë trajtimi shqiptarët). Publiku i painformuar nuk e ka idenë se skenaristi e regjisori kanë huqur në vijëzimin e antagonistëve, kanë huqur në ngjyrimin gjeografik, në tipizimin e personazheve, nuk u ngjasojnë me asnjë vijë karakteri mafiozëve shqiptarë, nuk ia përafrojnë as pamjes së tyre dhe as fesë. Në filmin “Taken 2” mafiozët janë shqiptarë të Tropojës. Regjisori dhe skenaristi Markun, djalin e kryebanditit, Muratit (!) (A mund të jetë Marku djali i Murati), e varrosin sipas ritit mysliman, në vendlindje, që më shumë i ngjason një katundi diku në majë të maleve Ararat sesa në Alpet shqiptare. Vëllezërve të Markut, derisa rrinë pas hoxhës u shihet ylli dhe hëna-tatuazh në kyçin e dorës, simbol i flamurit turk! Babanë e Markut tropojan e interpreton serbi Rade Sherbexhija, të cilin jemi mësuar ta shohim në dhjetëra filma, në rolet e mafiozëve rusë, sepse ka fytyrë tipike sllave, me theksin sllav kur e flet gjuhën angleze. Ai paraqitet hakmarrës patologjik, i gatshëm t’i shkrijë të gjithë djemtë për hakmarrje; është mizor dhe i pabesë; dinak e monstrum. Hakmarrja e tij është hakmarrje e sëmurë e jo hakmarrje kanunore. Karakteri i tij paraqitet jo si një malësor hakmarrës, por si ta kishte lexuar regjisori portretin e serbit Vladan Gjorgjeviq për shqiptarët. Nuk është vetëm aktori Sherbexhia ai që nuk i ngjason asnjë shqiptari që nga Tropoja deri në Ksamil, por të gjithë mafiozët shqiptarë në film janë shtatshkurtër, të majmur, me lëkurë të errët aziatike, që s’kanë asnjë ngjashmëri me malësorët shtatgjatë e lëkurë të çelur të bardhë. Qe nga Rade Sherbexhia e të tjerët nuk sheh asnjë figurë shqiptari. Por nuk janë vetëm këto marrëzira që e karakterizojnë filmin “Taken 2”. Ka edhe budallallëqe të tjera, jo të paqëllimshme: mafiozët shqiptarë përshëndeten arabisht, ndërsa ndonjë fjalë tek-tuk e thonë edhe shqip (kur shajnë), veprojnë në Stamboll etj.