Koalicione paszgjedhore/ LDK me mundësi të shumta, por edhe me sfida të shumta

10.07.2017 12:03:33

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, çështja e formimit të Qeverisë është çështja që po e preokupon më së shumti opinionin. Kjo çështje ka qenë prokupuese fill pas zgjedhjeve, dhe tashmë spekulimet e ndryshme, kalkulimet e ndryshme dhe projeksionet e ndryshme po vazhdojnë të jenë më të intensifikuara. Gjatë tërë kohës është spekuluar lidhur me mundësinë apo pamundësinë e njërës apo palëve të tjera për të formuar Qeverinë, dhe secila palë shprehte kapacitetet edhe numerike për ta bërë këtë. PAN, sipas të cilit nuk do të jetë problem formimi i Qeverisë, thoshte vazhdimisht se i ka numrat për këtë, VV, e cila si parti e parë pretendon se ajo duhet ta themelojë Qeverinë, kurse LAA, po ashtu, ka thënë jo njëherë se pret dështimin e PAN-it që të nisë formimin e Qeverisë.

PAN që ka 38 kuendarë, është shprehur se ka filluar negociata për formimin e Qeverisë dhe po negocion me subjekte dhe individë, ndërkohë që kanë dalë spekulime medietike se kush mund t’i bashkohet për formimin e Qeverisë. Pra, PAN është duke negociuar edhe me individë, dhe në këto raste po mëton të marrë me hir apo me pahir ndonjë kuvendar nga subjektet politike për t’i bërë numrat. Përkundër qëndrimeve të prera, megjithatë nuk është për t’u përjashtuar mundësia që ndonjë kuvendar t’i bashkohet PAN-it. Dhe cak do të jenë kuvendarë nga koalicioni LAA, pa përjashtuar edhe nga VV. Mirëpo, edhe nëse do të arrijë që të marrë ndonjë kuvendar nga subjekte të tjera, megjithatë, PAN nuk do të mund ta formonte Qeverinë pa Listën “Srpska”, e cila është fatorizuar maksimalisht dhe kërkon postin e kryetarit të Kuvendit. Një Qeveri e tillë do të jetë vazhdimisht e shantazhuar nga Beogradi dhe si e tillë, jofunksionale.

VV, e cila ka 32 kuvendarë, është shumë e paqartë lidhur me qëndrimet e saj, pasi që përveçse ka ftuar LAA-n në koalicion, po ashtu, ka thënë se do ta votonte kandidatin e PAN-it kryetar Kuvendi, duke futur në një situatë shumë të ndërlikuar çështjen e koalicioneve. Është kështu për  faktin se në një rast të tillë, LAA do të ishte shumë në pozitë të vështirë që si koalicion eventual me VV-në të vihej në pozitë ta votonte apo jo kandidatin e PAN-it kandidat për kryetar Kuvendi. Nga deklarimet e gjertanishme, sipas të cilave LAA nuk bën koalicion me PAN-in dhe në asnjë rast ku do të jetë PDK, votimi eventual i kandidatit të tij kryetar Kuvendi, pavarësisht arsyetimeve që do të jepeshin, do të ngjallte shqetësime te mbështetësit e saj. E tërë kjo në bazë të rrjedhave që kanë marrë ngjarjet paszgjedhore. VV, po ashtu, në një koalcion me LAA-në ka një debat lidhur me postin e kryeministrit dhe me ndryshimin e qasjes ndaj rolit të LDK-së dhe të presidentit Rugova në shtetndërtimin e Kosovës. Pra, janë disa vështirësi në këtë drejtim, të cilat zor se mund të kalohen përkundër se VV-istët në LDK dhe pro VV-të tjerë alternativistë.

LAA, e cila ka 29 kuvendarë, po ashtu ka pretendime për postin e kryeministrit dhe për formimin e Qeverisë dhe ka ftuar disa herë AAK-në dhe Nismën që të shkëputen nga PAN dhe të bashkohen me të për formimin e Qeverisë. Në një rast të tillë LAA-AAK-Nisma do të do të kishin mbi 41 kuvendarë dhe bashkë me pakicat do të mund ta formonin Qeverinë. Mirëpo, edhe në këtë rast, do të bëhej fjalë për një Qeveri që do të varej nga lista “Srpska”. Me këtë model kalkulimesh dhe qasjeje, një koalicion i tillë është pak i realizueshëm, sidomos kur të kihet parasysh fakti se kishte një bashkërendim PDK-VV-AAK-Nisma për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa.

Një tjetër variant është një koalicion VV-PDK, i cili do të mund të vinte si rezultat i prishjes së PAN-it dhe si reagim ndaj mundësisë që AAK dhe Nisma të bashkoheshin me LAA-në për formimin e Qeverisë, edhe pse këto dy parti, në rast të prishjes së PAN-it do të mund të shkonin në koalicion edhe me VV-në.

Edhe pse këto nuk janë të vetmet modalitete për formimin e Qeverisë, megjithatë në të gjitha format pozita e LAA-së dhe në mënyrë të veçantë e LDK-së, është shumë e ndjeshme, edhe për shkak se nuk e ka unitetin e plotë brenda saj, edhe për shkak të kurtheve që po synohet t’i ngrihen: 1. që si pjesë e koalicionit me VV-në të mund ta votojë kandidatin e PAN-it kryetar Kuvendi; 2. Që t’ia jepte LDK-së kryeministrin dhe ta ekspozonte para një mundësie për prsëritje të mocion 2; 3. që të parçajnë LAA-në dhe LDK-në me orientime të ndonjë subjekti apo grupeve të orentuar sa kah PAN, sa kah VV.

Këtij rreziku, LAA apo LDK nuk do t’i shmangeshin edhe sikur të vendoste të qëndronte në opozitë, pasi që subjekte të caktuara apo grupe do të mund të votonin për apo një formulë qeverisëse.

Dhe gjithë angazhimet e PAN-it dhe të VV-së janë që të çajnë LAA-në dhe LDK-në, edhe në kuadër të strategjisë së hershme, edhe në kontekst të situatës së krijuar. Gjatë legjislaturës së kaluar kjo formulë e çarjes ka funksionuar relativisht, jo vetëm për faktin se disa kuvendarë të LDK-së nuk e kanë votuar Isa Mustafën kryeministër, por edhe për faktin se kanë ndjekur poltika të qarta kundër. Të njëjtit apo të tjerë si këta, nuk do ta kenë kurrë problem që të sillen njësoj apo ngjashëm me sjelljet që kanë bërë gjatë legjislaturës së kaluar.

Edhe në kushtet që Qeverinë ta drejtojë LDK, mundësia që të përsërtet një mocion mosbesimi mbetet, por atëherë do të mund të pasonte një shkëputje e aletrnativistëve në krye me Vjosën nga LDK dhe bashkimi me VV-në. Dhe pikërisht duhet parë orientimin  e LDK-së kah një koalicion me VV-në pa kushte.