Majlinda Bregu mohon përfshirjen në qeverinë “Rama 2”: Një sajesë!

05.09.2017 13:05:15

Ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu, u përfol se do të përfshihej në qeverinë “Rama 2”, në postin e ministrit të Diasporës. Por sot, ajo ka folur pas këtyre aludimeve, duke pranuar se edhe jashtë qeverisë, ajo do të përpiqet po njëlloj për të afruar datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Europë, “mbase 1 mijë herë më shumë se dhe ministrat aktualë”.

“Asgjë në histori dhe politikë nuk mbaron pa asnjë alternative. Unë pagova çmimin e respektit ndaj vetes se thashë disa të vërteta që vazhdojnë të mbeten edhe sot të vërteta. Disa janë mësuar që veten ta kërkojnë ndër të tjerët dhe këta janë e keqja që s’munden dot kollaj, banaliteti dhe e keqja më e madhe sot e Shqipërisë. Për një përfolje publike për përfshirjen time në qeverinë e sotme, jam lodhur duke përgënjeshtruar lajme dhe sajesa, mua s’më duhet të jem në parlament e qeverinë shqiptare, por do të përpiqem po njëlloj për të afruar datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Evropë mbase 1 mijë herë më shumë se dhe ministrat aktualë”, tha Bregu.

Bregu flet hapur për betejën e saj dhe çmimin që ju desh të paguante, për të thënë ato që ajo i cilëson disa të vërteta.

“Në opozitë, mu desh që të bëja një tjetër betejë: me veten për të mos u llapaçitur as me besim të verbër që e mira dhe e keqja në shqipëri ndahen sipas kahëve politikë as me naivitetin se kjo do të kalonte pa bezdinë e përplasjeve apo orgjinë e shfrenuar të sulmeve nga ata që janë kontributorë të përhershëm në shkretimin e besimit tek politika. Unë pagova cmimin e respektit ndaj vehtes, pse thashë ca të vërteta të cilat fatkeqësisht vazhdojën të jenë të vërteta. Ka njerëz që e kalojnë gjithë jetën duke luajtur symbyllurazi me shpirtin e tyre dhe përdorin gjithë marifetet e mundshme për të mashtruar vehten në këtë lojë ku janë përfshirë. As realiteti dhe as e vërteta nuk depërton dot Brenda ttyre por pluskon duke ja ankoruar mendjen në hiç gjë. Janë njerëz që janë mësuarv që vehten ta kërkojnë ndër të tjerë. Fatkeqësisht këta janë e keqja që nuk munden dot kollaj, janë banaliteti dhe rreziku më i madh i politikës shqiptare sot. Në këtë betejë mes vehtes, me instikte dhe pikëpamje ndryshe nga ca të tjerë, dështova. E them këtë e qetë sepse nuk e kam luksin të mendoj se kur nuk fiton një betejë, qoftë ajo për ta bërë edhe më të mirë shtëpinë tënde politike, quhet fitore. Por unë nuk di të ketë standart tjetër për të vënë në provë dinjitetin përvecse të jesh vetja dhe i vërtetë”, tha Bregu.

Fjalimin e saj të fundit si drejtuese e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ish-deputetja demokrate e mbyll duke cituar diplomatin dhe shkrimtarin Mit’hat Frashëri: “Njerëzit e një kombi janë solidarë, e mira dhe lumturia jote janë edhe të miat, fatkeqësia jote është edhe për mua, nderi yt më nderon mua dhe turpi yt e nxin edhe faqen time”.