Ministri Hyseni në Austri kërkon t’i bëhet trysni Beogradit për lirimin e Nehat Thaçit

13.10.2016 12:22:09

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni është pritur në Vjenë nga Ministri i Brendshëm i Republikës së Austrisë, Wollfgang Sobotka.

Të dy ministrat kanë biseduar për një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë dhe në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Austri, në fushën e sigurisë.

“Partneriteti strategjik midis Kosovës dhe Austrisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit është I qëndrueshëm”, tha ministri Hyseni.

Në takimin e dy ministrave në mënyrë të veçantë u trajtua çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Ai u zotua se Republika e Kosovës do të përmbush të gjitha detyrimet që dalin nga kjo çështje.

Ministri i Brendshëm i Republikës së Austrisë, Wollfgang Sobotka tha se Austria mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, por sipas tij, Kosova duhet të përmbush edhe kriterin e ratifikimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe të sigurohet se trendi pozitiv i menaxhimit dhe rrënjës së migrimit të paligjshëm nga Kosova drejt zonës Shengen të vazhdojë.

Po ashtu duhet të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, theksoi ai.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Të dy ministrat u dakorduan që Kosova dhe Austria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin këtyre kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë nacional të shteteve.

Ministri Sobotka falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, e në veçanti midis dy ministrive të brendshme, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Austrisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Austrisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të bashkëpunimit policor.

“Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”, theksoi, ministri Hyseni ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe të veçantë me praktikën e fletarresteve serbe me akuza të sajuara dhe të papranueshme ndaj pjesëtareve të UÇK-së.

Ai i kërkoi ministrit Sobotka që të bëhet më shumë trysni me qëllim që Beogradi të ndërpresë këto ndjekje të pabaza dhe urgjentisht të lirojë nën-kolonelin e PK-së, Nehat Thaçin, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi. /Telegrafi/