Nënë e bir në Vlorë u vranë para se t’i vendosej flaka banesës

21.01.2018 15:40:06

Paraditen e sotme në një banesë të shkrumbuar në lagjen “1 Maji”, policia e Vlorës gjeti trupat e pajetë të 73-vjeçares Salkie Hoxhallari dhe djalit të saj 43-vjeçar, Olsi Hoxhallari.

Ngjarja u raportua si tragjedi e ndodhur për shkak të pakujdesisë me cigaren ose bombolën e gazit, por ekspertiza nxori në pah detaje tronditëse.

Në trupat e karbonizuar të viktimave janë gjetur shenja dhune.

Ekspertët mjeko-ligjorë evidentuan të çara dhe dëmtime të mëdha në kokën e 43-vjeçarit dhe shenja çarjeje në fytin e të moshuarës.

Policia ka dyshime të forta se djegia e trupave ka qenë e qëllimshme, pasi ata janë vrarë nga agresori.

Deri më tani janë shoqëruar nga uniformat blu disa nga familjarët, të cilët po merren në pyetje, ndërsa po punohet intensivisht për gjetjen e autorëve të krimit të rëndë.

Midis të shoqëruarve është edhe kunata e 43 vjeçarit, bashkëshorti i të cilës ka humbur jetën më herët.

Në polici janë shoqëruar edhe dy vajzat e vëllait, rreth 13 dhe 14 vjeçe. Ndërkohë vëllai tjetër i viktimës ndodhet në burg prej dy vitesh.