Plumbat që goditën Xhemën ishin plumba kundër lirisë, pavarësisë e demokracisë

Nga Rexhep Kastrati

Gjashëmbëdhjetë vjet më parë isha në një takim të rëndësishëm dhe ma pat tërhequr vëmendjen një person që fliste i shqetësuar me dikë në telefon. Pasi e përfundoi bisedën, më vjen afër dhe në vesh më pyet:

-E njihni Xhemail Mustafën? Një moment u shtanga. Atëherë më shkoi mendja të Xhema.

-Këshilltarin e presidentit Rugova? – e pyeta.

– Po. – mu përgjegj shkurt.

-Po. Pse?

-E kanë vrarë.

Disa sekonda mu terrua para sysh. As nuk shihja, as nuk dëgjoja gjë. Mora frymë thellë, dhe pasi u kfjella pak, kërkova leje dhe dola nga ai takim. Nuk mund të besoja se diksuh mund të qëllonte mbi Xhemën, njeriun e mirë, njeriun e urtë, njeriun që fjalën e kishte liri, fjalën e kishte lutje dhe që në momentet më dramatike për Kosovën dhe për shqiptarët, lutej për Prishtinën, lutej për Kosovën. Duhej të ishe më shumë se vrasës, më shumë se kriminel që të vrisje Xhemën. Më ushtonte në vesh ” E kanë vrarë!”, “E kanë vrarë!”. Lotët nuk mund t’i ndalja, se shpirti më dhimbte për Xhemën, i cili ka qenë miku im, ka qenë njeriu që në fillet e mia si adoleshent dhe më pastaj më ka përkrahur, më ka ndihmuar dhe edhe momentet e këqia i kthente në shaka dhe të qeraste me buzëqeshjen e tij karakteristike. Nuk më bënte përshtypje që njerëzit më shikonin derisa ecja me lot në sy. E në vesh, vazhdonte të kumbonte: “E kanë vrarë!”, “E kanë vrarë!”. Në një moment më doli nga goja: “Në rrotë të samës le të shkojnë të gjithë! Nuk vritet Xhema, jo!”. Shkova në redaksinë e “Botës sot”, ku punoja atëherë dhe u ula para kompjuterit dhe ata lot ktheheshin në tekst, i cili dilte vetë, sikurse lotët e mi. Vajtonte shpirti dhe vajtonte trupi. Ishte e rëndë, ishte trishtuese të vritej patriarku i fjalës së lirë, patriarku i lutjeve për Prishtinën, i lutjeve për Kosovën. Derisa shkruaja, më kujtoheshin takimet, bisedat dhe buzëqeshja e tij karakteristike që qetësonte shqetësimet e një adoleshenti dhe një të riu që bënte hapat e parë në shkrimësi. Dhe ishte kohë që fjala ishte liri, dhe liria cenohej çdo ditë e më shumë. Dhe ishin 13 vjet, nuk ishin pak, gjatë të cilëve ndodhi gjithçka e keqe me vendin dhe popullin tonë. E pas 13 vitesh, Xhemën e vranë, e vranë kur ai dhe të gjithë ne duhej t’i gëzoheshim lirisë. Por, dikush lirinë e kish kujtuar veç për vete, dhe e kish kuptuar si liri për të vrarë. Dhe duart më dridheshin derisa shtypja tastet në tastierë, dhe lotë binin rrëke. Teksi i botuar të nesërmen, ishte tekst që kish dalë vetë. tekstiperxhemen

Por sikur të mos mjaftonte vrasja, Adem Demaçi do të deklarojë më vonë se Xhemën e kanë vrarë djemtë e luftës për të paralajmëruar Rugovën të mos pranonte diçka më pak se pavarësia. Pra, sipas Adem Demaçit, vrasja e Xhemës na paskësh qenë një akt patriotik! Të vrisje Xhemën, akt patriotik?! O Zot, a mund ta mendojë kush këtë? Veç një mendje e sëmurë mund ta thotë këtë. Dhe kush madje? Adem Demaçi që pas Veton Surroit, kishte hequr dorë nga pavarësia! Dhe kjo ishte e rëndë.  Ndoshta edhe serbët e kanë vrarë Fehmi Aganin, Latif Berishën, Agim Hajrizin dhe shumë të tjerë, që të detyrojnë presidentin Rugova të mos pranojë më pak se pavarësia! Të vrasësh patriarkët e lirisë, pavarësisë e demokracisë që për asnjë moment të vetëm nuk kanë pasur qëllim tjetër, pos lirisë, pavarësisë e demokracisë, ishte vërtet e rëndë, e tmershme, dhe ishte vrasje e lirisë, ishte vrasje e pavarësisë, ishte vrasje e demokracisë.

Dhe për ironi, 16 vjet më vonë, do të jetë miku i ngusht i Kadri Veselit, ish-kuvendari i PDK-së, Berat Buzhala që do të përpiqet ta përdhosë vrasjen e Xhemës dhe të të tjerëve, duke e bërë objekt të një emisioni që nuk kishte për qëllim ta trajtonte si çështje, por ta përdorte kundër LDK-së, kundër partisë-lëvizje që e udhëhoqi Kosovën dhe shqiptarët drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, dhe de facto kundër vetë atyre që u vranë. Duket se ky kishte qenë misioni për të vazhduar dobësimin dhe shkatërrimin e LDK-së, mision që ua kishte marrë jetën Xhemës dhe gjithë veprimtarëve të tjerë të saj.

Dhe kjo do të thoshte të vrisje Xhemën e të tjerët përsëri e përsëri, dhe të mundohesh të përmbyllësh një mision të filluar me vrasjen e tyre, me manipulimn e atyre vrasjeve. Por 16 vjet më vonë, janë ata që kanë ndërtuar karrierën e tyre, kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë e demokracisë, që janë në rrugë për ta vrarë veten politikisht, moralisht dhe pse jo edhe fizikisht, kurse Xhema dhe të tjerët, do të vazhdojnë të jenë fanarë ndriçues në rrugën e lirisë, në rrugën e zhbillimit, në rrugën e bashkimit dhe të fuqizimit të faktorit shqiptar në rajon dhe në botë. Edhe tash si para 16 vjetësh më vjen të bërtas: “Në rrotë të samës le të shkojnë të gjithë! Nuk vritet Xhema, jo!”.