Qeveria dhe BB diskutojnë për partneritetin ndëmejt tyre

06.12.2016 13:55:22

Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka mbajtur sot Konsultimet e Kornizës së Partneritetit të Vendit të Bankës Botërore për Kosovën.

Ky konsultim sipas komunikatës për media nga Ministria e Financave,  kishte për qëllim diskutimet për strategjinë e radhës me Ministrit e linjës të cilat tashmë kanë bashkëpunuar dhe implementuar projekte në sektorë të ndryshëm me Bankën Botërore.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke i falënderuar përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore për prezencën e tyre  në konsultimet për Kornizën e Partneritetit të Vendit të Bankës Botërore për Kosovën për vitet 2017-202, tha se  “Në emër të Qeverisë së Kosovës, si Guvernator i Republikës së Kosovës në Grupin e Bankës Botërore të falënderoje Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe vazhdon të ofrojë drejtë shtetndërtimit dhe forcimit të institucioneve të Kosovës, si dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Që nga viti 2009 kur Kosova zyrtarisht u bë anëtare e Bankës Botërore, ka bashkëpunuar ngushtë me të duke financuar kështu projekte reformuese përmes Granteve dhe Kredive, si në  sektorin e shëndetësisë, arsimit, sektorin e energjisë, mjedisit, bujqësisë, administratë publike, prokurim elektronik,  sektorin financiar, mbështetje buxhet ore dhe një sërë reformash tjera shumë të rëndësishme”.

“Prandaj, mund të them lirisht se si rezultat i mbështetjes së marrë nga Grupi i Bankës Botërore, Kosova ka arritur rezultate të prekshme në shumicën e këtyre sektorëve. Aktualisht, kemi identifikuar edhe tri projekte të cilat pritet të behën efektive gjatë vitit 2017 të cilat do të kontribuojnë, në sigurinë e ujit dhe rehabilitimit të kanalit të Iber Lepencit, ujitjen e tokave dhe zhvillimin e bujqësisë, si dhe konkurushmërinë e produkteve të prodhuara në Kosovë”, shtoi Hoti.

Ai bëri të ditur se deri më tani, Kosova ka portfolion e saj me Bankën Botërore afro 400 milion Dollar të orientuar në sektorët e lartpërmendur, ku shumica e financimit është nga grantet, dhe nga viti 2012 si rezultat i zhvillimit ekonomik të vendit shumica e financimit të Bankës ka filluar të kanalizohet në formë të huamarrjes prandaj, një pjese e portfolios është e llojit të huamarrjes,  me ç ‘rast, Kosova kualifikohet për huamarrje me kushte shumë të favorshme të ofruara nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA).

“Prandaj, është më rëndësi që për aq sa Kosova kualifikohet për financim me kushte të favorshme kreditore të identifikojmë dhe financojmë projekte të cilat dëshmojnë paraprakisht me studime fizibiliteti që kanë kthim pozitiv dhe kontribuojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e të hyrave nacionale dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, shtoi Hoti.

Sipas, Ministrit të Financave Avdullah Hoti, Banka Botërore  pas analizave dhe konsultimeve individuale me nivelin qeveritar ka përgatitur një draft të Kornizës për prezantim sot, ku shpalosen tre sektorët e bashkëpunimit për vitet 2017-2021 me total tetë (8) objektiva ç ‘rast presim inputin e të gjitha Ministrive nëse kanë dakordim ose propozime për ndryshime.

“Sipas kësaj analize sektorët e identifikuar janë energjia dhe mjedisi , ku përfshihen  zgjerimi i ofrimit të resurseve të energjisë,  efiqienca e energjisë, energjitë e ripërtritshme dhe përmirësimi i menaxhimit të resurseve natyrale. Sektor tjetër i identifikuar është forcimi i ofrimit të shërbimeve publike dhe menaxhimi makro fiskal, ku përfshihen forcimi i cilësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit në arsim dhe shëndetësi, si dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së financave publike dhe menaxhimi i sektorit publik. Gjithashtu është identifikuar edhe sektori privat dhe punësimi , ku në të përfshihen përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, përmirësimi i prodhimit në bujqësi  dhe zinxhiri i prodhimtarisë dhe shitjes, si dhe avancimi i mundësive të punësimit të të rinjve, grave dhe grupeve me nevoja të veçanta”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, tha se “Në gjithë Ballkanin Perëndimor e vetmja mënyrë për të eliminuar varfërinë e skajshme dhe për të promovuar përparimin e përbashkët është nëpërmjet krijimit të vendeve kualitative të punës dhe mundësive ekonomike për të rinjtë. Nuk ka asnjë vend ku kjo është më e vërtetë se në Kosovë ku popullsia e re paraqet mundësi për përfitim demografik , dhe për rritje ekonomike, gjë që nuk e ka asnjë vend tjetër në Evropë”.

“Grupi i Bankës Botërore ka qenë një partner i qëndrueshëm i Kosovës në 16 vitet e kaluara, duke përkrahur rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e pas-konfliktit, përfshirë edhe gjatë pavarësimit tuaj si shtet. Ne sjellim njohuri globale për të ndihmuar për të zgjidhur problemet specifike të Kosovës, duke ofruar analiza të opsioneve të politikave publike, dhe duke ofruar përkrahje të vazhdueshme për të zbatuar reformat më të nevojshme ekonomike. Që nga viti 2000 kemi ofruar apo menaxhuar rreth 400 milionë dollar amerikanë për Kosovën  nëpërmjet rreth 40 operacioneve. Kjo përfshin përkrahjen në shëndetësi, arsim, reformat e tokës, bujqësi, sektorin e ujit, sektorin e energjisë, politikat sociale, sektorin financiar dhe në sektorë të tjerë”, shtoi Goldstein.