Shpërthimi i coronavirusit mund të detyrojë Britaninë e Madhe t’i mbyllë të gjitha qytetet

01.03.2020 12:19:00

Qeveria po refuzon të përjashtojë vendimin për mbylljen e të gjitha qyteteve, nëse Britania e Madhe përjeton një shpërthim të gjerë të coronavirusit.

Matt Hancock është sekretari i shëndetësisë, që ka thënë se në këtë fazë “nuk do të heqim asgjë nga tavolina”, kur është pyetur nga gazetari i BBC-së për karantinën në stilin e Wuhanit të Kinës.

“Do të ishte një dobësim i madh ekonomik dhe social, por ne nuk do të donim të hiqnin asgjë nga tavolina në këtë fazë, sepse duhet të sigurohemi që i kemi të gjitha mjetet në dispozicion, nëse kjo është ajo që kërkohet”, ka thënë Hancock.

“Në këtë fazë ende ka shpresë dhe megjithëse në shtete tjera numri i të prekurve po rritet, ne mund ta minimizojmë përhapjen dhe ta ndalojmë infektimin”, ka shtuar ai.

Sipas një hulumtimi në të cilin është bazuar ai, thuhet se nëse kjo pandemi e përfshinë Britaninë e Madhe, gjysmë milioni njerëz mund të vdesin në Britani të Madhe, si “skenari më i keq i mundshëm”.

Qeveria po konsideron ndalimin e tubimeve publike dhe ndeshjeve të futbollit, mbylljen e shkollave dhe inkurajimin e njerëzve për të shmangur transportin publik.

Gjatë ditës së sotme, është gjetur se edhe tre persona tjetër janë të sëmurë me coronavirus, duke e ngritur në 23 totalin e të sëmurëve në Britani të Madhe.

Deri më tani, raportohet se 2,982 njerëz kanë vdekur dhe 87,208 të tjerë janë të infektuar nga coronavirusi në mbarë botën.