Trump: Urdhri qesharak i gjykatësit në Seattle do të hidhet poshtë

04.02.2017 22:52:52

Presidenti amerikan, Donald Trump ka postuar një mesazh të ashpër në Twitter pasi një gjykatës në Seattle e ka bllokuar përkohësisht implementimin e urdhrit të tij ekzekutiv që ndalonte të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë shtete me popullatë kryesisht myslimane, për të hyrë në SHBA.

Trump, më 4 shkurt, i është referuar gjykatësit James Robart, si “i ashtuquajturi gjykatës” ndërsa vendimin e tij e ka quajtur si “qesharak”.

“Vendimi do të hidhet poshtë”, – ka shkruar Trump.

Presidenti ka shkruar gjithashtu se “disa vende të Lindjes së Mesme janë dakord me ndalimin” e tij.

“Ata e dinë se nëse njerëz të caktuar lejohen brenda, atëherë kjo nënkupton vdekje dhe shkatërrim”, ka thënë ai.

Gjykatësi federal, James Robart, që në atë pozitë ishte emëruar nga ish-presidenti George W. Bush, ka vendosur mbrëmjen e 3 shkurtit se urdhri ekzekutiv nuk mund të zbatohet.