Viti i Ri kinez, migrim masiv në Shangai

25.01.2017 16:08:37

Migrimi më masiv njerëzor ishte në zhvillim të plotë këtë të mërkurë, teksa mijëra njerëz në Shangai nxitonin të kapnin trenin për t’u ribashkuar me familjet e tyre, me rastin e Vitit të Ri Hënor.

Vetëm dy ditë kanë mbetur nga vigjilja e Vitit të Gjelit, që bie më 27 janar, dhe të shumtë ishin ata që vraponin drejt stacioneve hekurudhore me valixhe në duar. Pasagjerët thanë se po prisnin me padurim të takonin familjet e tyre.

“Kthimi në shtëpi kërkon rreth 26 ose 27 orë. Ishte shumë e vështirë të siguroje bileta, por unë desha shumë të kthehesha në shtëpi sa më parë të ishte e mundur, që të ribashkohesha me familjen time”, tha një qytetar.

Brenda në tren, pasagjerëve iu desh të ndanin hapësirën e ngushtë me shumë të tjerë, e megjithatë kjo vështirë t’ua prishte humorin në këtë prag festash.

“Nuk ka rëndësi sesa kohë do të qëndroj në këmbë. Jam shumë në humor dhe ndjesia e kthimit në shtëpi më ngroh shumë. Nuk e di pse më vjen për të qarë kur e mendoj këtë”, tha një qytetare.

Vala frenetike e udhëtimeve me rastin e Vitit të Ri kinez nisi më 13 janar dhe pritet të zgjasë deri më 21 shkurt. Rreth 9.49 milionë udhëtime me tren pritet të bëhen rreth vendit, siç bëri të ditur koorportata hekurudhore kineze.