Vrasja makabre e Profesorit nga forcat kriminale serbe natën e fillimit të bombardimeve të NATO-s

25.03.2018 10:12:45

(Fragment nga libri: “Shpirti i dërmuar” – botim i vitit 2000, me rastin e 19 vjetorit të vrasjes së profesor Latif Berishës)

Nga Naxhije Doçi

-Profesorin dhe atdhetarin Latif Berisha e vranë kriminelët ushtarakë dhe policorë serbë. E vranë para mesnatës së 24 marsit 1999, në pragun e shtëpisë së vet, në Lagjen „Kroi i Vitakut“, në Mitrovië. Ata që i hynë në shtëpi për ta vrarë ishin shumë, një mori e tërë kriminelësh serbë, me maska e pa maska. E vrau Organizata „Fronti popullor i serbëve dhe malaziasve“ , si edhe Organizata „Dora e zezë“.Familjen ia tmerruan me mundime e torturime të shumta dhe ia plagosën edhe djalin. Shkrimet e tij u bënë shkrumb e hi, nga se në të njëjtën natë të tmerrit të pakrahasuar ia dogjën edhe shtëpinë. Në momente të tilla përpëlitjet e të gjallëve për të mbijetuar mbi tmerrin ishin vetëm hirësi e fatit. .
Kur më 5 mars 1998 kishte krisur lufta e hapur në Drenicë, edhe Mitrovica ishte e trazuar dhe me krisma armësh të vazhdueshme serbe. Dhe kjo në një anë për shkak të afërsisë gjeografike me Drenicën, e në anën tjetër se edhe në Mitrovicë lëvizjet për liri të Kosovës kishin filluar me organizime të planifikuara që nga fillet e dhjetëvjetëshit të fundit të fundshekullit njëzet. Dhe në ballë të këtyre lëvizjeve për liri, në Mitrovicë ishte pikërisht Profesori Latif Berisha, që ishte edhe profesor fakulteti në Prishtinë, në edukim dhe në arsimim të gjeneratave të reja.Profesor Latif Berisha ishte edhe shkrimtar i gjeneratës së vjetër të shkrimtarëve të Kosovës, i cili e donte shumë vendlindjen e tij, Mitrovicën dhe tërë Kosovën. Shkroi dhe punoi tërë jetën për këto dhunti dhe për tërë shqiptarinë Mbi të gjitha ai ishte aktivist i përkushtuar për lirinë e Kosovës nga pushtimi i gjatë dhe barbar serb.. Për një ideal të tillë e dha edhe jetën.
Pushtuesi serb e kishte përcjellë hap pas hapi nëpër vite dhe në vazhdimësi aktivitetin atdhetar të Profesor Latif Berishës, se e kishte penguar thellë aktiviteti i tij në instancat kombëtare
Serbia pushtuese në bashkëpunim me serbët vendorë, të cilët në Mitrovicë ishin në numër pak më të potencuar në krahasim me qytete të tjera të Kosovës, kishin përgatitur plane të shumta për të bërë krime dhe torturime kundër shqiptarëve. Serbët vendorë, të cilët e kishin të njohur mirë terrenin, i kishin përgatitur edhe listat për likuidimin e shumë personaliteteve të shquara shqiptare në Mitrovicë dhe në fshatrat përreth. Dhe nga keto plane e lista kobëzeza vrasjet enigmatike të shqiptarëve në Mitrovicë ishin bërë përditshmëri. Për këto lista likuidimi, si edhe që ishte në përcjellje të vazhdueshme nga forcat e errëta dhe kriminele serbe kishte pasur dijeni edhe vetë Prof. Latif Berisha. Ishte bërë se nuk kishte njohuri, se nuk kishte dashur ta shqetësonte familjen. Në të vërtetë familja e tij kishte qenë vazhdimisht e trazuar dhe e kërcënuar, qoftë me telefonata, në veçanti orëve të vona të natës, dhe qoftë në mënyra të tjera, secila më tmerruese se tjetra. Në bazë të një letre kërcënuese edhe për jetën, që familja e kishte gjetur kohë më parë para derës së shtëpisë së tyre, moria e njerëzve të uniformuar serbë, që iu kishin hyrë më 24 mars 1999 në shtëpi ishte pikërisht Organizata kriminele e quajtur: „Fronti popullor i serbëve dhe malaziasve“, si edhe Organizata „Dora e zezë“. Këto ishin organizata shumë të rrezikshme për shfarosjen enigmatike të shqiptarëve të Kosovës. Në atë letër kishin qenë të shkruara edhe metodat e krimeve, që do të bëheshin mbi shqiptarët e caktuar, si edhe mbi familjet e tyre. Kur familja e tij në Mitrovicë, si vajza, djali dhe familjet e tyre, kishin kërkuar mendimin e profesorit Latif Berisha për telefonatat e tilla kërcënuese serbe, për shkrimet e letrave enigmatike, si edhe për provokimet të tjera të shumta kërcënuese, ai u kishte thënë: „Nuk duhet që të bimë në nivel me ta! E tillë është kultura e tyre dhe si të tillë një ditë edhe do të dështojnë”. U kishte thënë edhe: „Prej asnjë pushtuesi, e edhe të këtij të sotmit serb, kurrë nuk pritet diçka e mirë. Mirë është vetëm që tani në këtë dymijëvjeçarë në mbyllje ne shqiptarët të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe që koha po punon për ne… Tani edhe miqtë i kemi të fortë, të cilët po përpiqen të na kuptojnë dhe të na ndihmojnë për zgjidhjen e çështjes së drejtë të Kosovës. Dikur ishte më keq për ne, se ishim të robëruar dhe të përqarë. Armiqtë tanë na përçanin, me moton përçaj e sundo, se donin të na zhduknin krejtësisht si shqiptarë nga faqja e dheut“
Në marsin e trazuar 1999 në Kosovë, miqtë dhe shokët e ngushtë e kishin këshilluar Prof. Latif Berishën që për një kohë të shkurtër të largohej disi nga Kosova, se ishte në përcjellje të vazhdueshme nga pushtuesi fashizoid serb.
-Nuk ishte larguar, se nuk kishte mundur që t’ia kthente shpinën Kosovës, duke thënë: „Do të rri këtu në Kosovën time dhe me popullin tim, se për mua asgjë tjetër nuk ka vlerë jashtë kësaj”!