Vrau çiftin britanik, zbulohet identiteti i vërtetë i shqiptarit

01.08.2016 17:17:42

Zbulohet identiteti i vërtet i shqiptarit të dyshuar për vrasjen e dy pensionistëve në Suffolk të Britanisë, në fillim të muajt qershor. Bëhet fjalë për shtetasin Vital Dapi, 44 vjeç, lindur në Elbasan dhe adresë banimi të familjes në rrugën “Xhafer Hakani”, lagjja Brigada e 17.

Vital Dapi rezulton të jetë djali i vetëm i Xheladin dhe Nadire Dapit dhe prej më shumë se 12 vitesh ka emigruar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe, ku jetonte nën identitetin e vjedhur kosovar Ali Qazimaj dhe identiteti tjetër Marko Costa, shkruan TvKlan. Me datën 3 qershor të këtij viti ai dyshohet se ka vrarë me thikë Peter Stuart, 75– vjeç dhe ka zhdukur bashkëshorten e tij, Sylvia, 69­vjeç.

Një letër e gjetur nga një shoku i tij i dhomës dhe që iu dorëzua policisë nga reporterët e gazetës “The Sun”, ngriti dyshimin e vërtetuar më pas se, 42-­vjeçari, përdorte emrin e vjedhur Ali Qazimaj dhe është shqiptar.

Një kopje të kësaj letre Televizioni Klan e publikoi ekskluzivisht gjatë fazës paraprake të hetimeve të përbashkëta mes policisë britanike dhe asaj shqiptare.

Qazimaj apo Dapi u arrestua me datën 16 qershor në Luksemburg dhe në fund të muajt korrik u ekstradua drejt Britanisë së Madhe. I pyetur nga një gjykatë britanike gjatë vlerësimit të masës së sigurisë ai ka deklaruar se nuk është Ali Qazimaj por Vital Dapi nga Elbasani.

Ai pritet të qëndroj në paraburgim deri me datën 19 gusht deri sa prokuroria të sjellë prova të tjera mbështetëse për ti provuar gjykatës se kemi të bëjmë me të njëjtin person.