Kenedi, Regan, Klinton, Tramp – Sa vlen shëndeti i presidentit amerikan

13.09.2016 12:43:52

Në vitin 1980, Shtetet e Bashkuara ishin në kulmin e fushatës elektorale. Votuesit duhej të zgjidhnin mes presidentit në detyrë, demokratit Xhimi Karter, dhe kandidatit të përjetshëm republikan për presidencën (ishte në përpjekjen e tij të tretë), ish-aktorit dhe ish-guvernatorit të Kalifornisë, Ronald Regan.

Ai mbetet kandidati më i vjetër në historinë amerikane, pasi do të mbushte 70 vjeç vetëm pak ditë pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë. Ishte një burrë energjik, një kauboj, i cili në fermën e tij çante drutë dhe kalëronte çdo ditë, por për moshën e tij kishte polemika. Katër vite presidencë, për të mos folur për tetë, janë të vështirë për këdo.

Krahas qetësimit të zgjedhësve se gëzonte shëndet të mirë, Regani mori edhe një iniciativë të paprecedentë. Ai bëri publike edhe kartelën e tij mjekësore dhe u angazhua se do të jepte dorëheqjen në rast të një sëmundjeje të rëndë. Megjithatë ai nuk e bëri, edhe pse në mandatin e tij të dytë nisi të ndjente simptomat e para të sëmundjes që më vonë do t’i merrte jetën, Alzhajmer.

Amerika e duartrokiti vendimin e Reganit dhe nuk kishte harruar dramën e tetë viteve më parë, kur kandidati demokrat për zëvendëspresident, senatori Tomas Egleton u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi kishte fshehur faktin se vuante nga shqetësime mendore. Iniciativa e Reganit do të ndryshonte politikën amerikane dhe do të përfshinte në zgjedhje edhe faktorin “shëndet” (psikik dhe fizik) të kandidatëve.

Nga ajo ditë, Shtetet e Bashkuara kërkojnë një president apo një presidente të shëndetshëm dhe të fortë, duke kërkuar të njohin edhe kartelën mjekësore. Për këtë, panorama aktuale rrezikon të ndryshojë nga dyshimet e dala për shëndetin, si të Hillari Klintonit, ashtu edhe të Donald Trampit, i cili po të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë do të kishte një moshë disa muaj më të madhe se Regani.

Përpara vitit 1980, Amerika nuk dinte pothuajse asgjë për shëndetin e kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë. Mësohej vetëm më vonë për shqetësimet e këtij apo atij banori të Shtëpisë së Bardhë, por asnjëherë për diçka të plotë.

Nga baballarët themelues të shtetit, deri te Abraham Linkoln, i cili vuante nga paniku dhe depresioni i thellë, argumenti i shëndetit ishte tabu. Vetëm prej nisjes së shekullit të shkuar, historianët në SHBA filluan ta trajtojnë hapur këtë problem, me një përfundim habitës: Në pjesën më të madhe, sëmundjet nuk i bënë më të këqinj presidentët, por i kalitën për të bërë punën më të vështirë në botë.

Ikona e demokratëve, Xhon Kenedi, dhe ai i republikanëve, Regan, udhëtonin gjithnjë me çantën e ilaçeve me vete, krahas “futbollit”, valixhes së kodeve të armëve bërthamore. I riu Xhon Kenedi, arkitekti i kufijve të rinj dhe i mbërritjes në Hënë, ishte ndoshta presidenti më i prekur nga sëmundjet e të gjitha llojeve.

Ai u kurua në spital 36 herë, ku tre herë në rrezik për jetën. Siç tregojnë tashmë, në fushatën elektorale fitimtare të vitit 1960, ai kishte frikë, jo nga qenia e tij katolik, që ishte një herezi në Amerikën ultraprotestante, por nga e shkuara e tij mjekësore, që mund t’i kushtonte presidencën.

Një ditë që e humbi nga sytë valixhen me medikamente i nisi njerëzit e tij të kërkonin, duke ulëritur: “Nëse kundërshtarët tanë arrijnë ta sigurojnë, do të jem i vrarë politikisht”. Sëmundjet, qetësuesit dhe ilaçet nuk e penguan Kenedin të promovonte reformat, si ato të të drejtave civile, të dialogonte me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, apo të kënaqte urinë e tij seksuale, edhe ajo e mbajtur e fshehur me shumë kujdes.

Nuk është rastësi, që presidenti më i madh i shekullit të shkuar ishte Franklin Rusvelt, fituesi ndaj Depresionit të Madh të viteve ’30 dhe i Luftës së Dytë Botërore. Ai mbeti i ngujuar në karrigen me rrota për shkak të poliomelitit. Sëmundja e tij u bë publike në vitin 1924, kur ai u shfaq në Kongresin e Partisë Demokratike me paterica, por kjo nuk i pengoi ngritjen politike.

Amerika ishte e shkatërruar dhe vlerat e saj nuk ishin ato materiale. Rusvelti u zgjodh katër herë, së fundmi në vitin 1944. Mjekët e dinin se së shpejti do të vdiste, por e mendonin të domosdoshëm. Paraardhësit e tyre në Shtëpinë e Bardhë ishin sjellë në të njëjtën mënyrë me Uillsonin në vitin 1919, një tjetër demokrat, i cili ishte goditur nga një infarkt. Pavarësisht kësaj, mjekët e mbajtën sekretin.

Xhonatan Davidson, historian i Universitetit “Duke”, ka ekzaminuar kartelat klinike të të gjithë presidentëve amerikanë, deri te Karter, dhe ka zbuluar se dhjetëra prej tyre ishin me një shëndet shumë të keq.

Depresioni ishte sëmundja më e përhapur dhe nga kjo vuanin veçanërisht Uillsoni dhe pasuesi i tij, republikani Kelvin Kulixh. Një tjetër historian, Artur Shlezinger I riu, nuk e fshehu se e vlerësonte jostabël Lindon Xhonsonin, zëvendësuesin e Kenedit, dhe ia atribuoi mungesës së stabilitetit të tij edhe përshkallëzimin e luftës në Vietnam.

Rrallë në historinë amerikane është marrë vesh se presidenti është në një gjendje jo të mirë shëndetësore, por kur kjo ka ndodhur, nuk është bërë pengesë për rizgjedhjen. Zgjedhja e Klintonit ose Trampit do të varet pjesërisht edhe se si do të administrojnë faktorin e shëndetit.

Ata kanë një shembull për të ndjekur, atë të senatorit republikan Xhon Mekkein, kundërshtar i Obamës në vitin 2008. Ai ishte hero i konfliktit në Vietnam, i burgosur për 5 vjet dhe i nënshtruar në tortura fizike dhe mendore.

Në vitin 2008, Amerika shtroi pyetjen, nëse ishte i aftë për të drejtuar shtetin dhe Mekkein tregoi se “po”, me ekuilibrin e tij dhe qetësinë, si politikan dhe ushtarak. U mund, sepse pas Bushit, të riut, Amerika dëshironte një ndryshim drastik, simbol i të cilit u bë presidenti i parë me ngjyrë.