Numri një i BE-së në Tiranë, del se kishte fshehur pasurinë në Kroaci

02.08.2016 11:36:02

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, sipas një raportimi të TV Klan, del se është proceduar në vendin e saj, Kroaci, për mosdeklarim të të dhënave të sakta mbi pasurinë, duke shkelur ligjin për parandalimin e konfliktit e interesit, një instrument i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit.

Komisioni për Përcaktimin e Konfliktit të Interesit hapi një procedurë kundër saj, pasi Vlahutin nuk përmbushi detyrimin ligjor për të deklaruar në kohë, me saktësi dhe në mënyrë të plotë pasurinë e saj. Në raportin e këtij Komisioni thuhet se Vlahutin nuk deklaroi pagën neto dhe bruto, nuk tregoi adresat e sakta të pasurive të paluajtshme dhe nuk tregoi emrin e kreditorit të një kredie të marrë për strehim, pas përfundimit të detyrës si Këshilltare e Presidentit të Kroacisë për Punët e Jashtme.

Pas gjithë procedurave dhe pritjes së afateve nga Komisioni, Vlahutin del pa u “lagur” nga gjithë kjo shkelje, raporton Klani i Shqipërisë.  Pavarësisht shkeljes së ligjit, ndaj ambasadores aktuale në tiranë, Romana Vlahutin nuk pati sanksione ligjore. Komisioni e vërtetoi shkeljen e ligjit nga ana e saj, por argumentoi se për shkak të procedurës, nuk ishte e mundur që të merreshin masa ligjore. Përndryshe, Romana Vlahutin e nisi zyrtarisht detyrën e Ambasadores së Bashkimit Evropian në Tiranë më 3 Tetor të vitit 2014. Angazhimi kryesor i saj në këtë detyrë ka qenë miratimi i Reformës në Drejtësi, një reformë e cila ka si qëllim kryesor parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve korruptive tek zyrtarët e lartë, në gjyqësor e në prokurori.