Policia jep detajet e vrasjes së të riut në Mitrovicë – tregon se çfarë gjetën në vendin e ngjarjes

07.12.2016 15:50:23

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, përmes një njoftimi ka konfirmuar vrasjen e ndodhur sot në Mitrovicë, ku u vra një 22-vjeçar.

Sipas Policisë në Mitrovicë, një ‘vrasje e rëndë’ është raportuar sot rreth orës 09:45, ku fillimisht ishte raportuar për të shtëna dhe si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit, një person kishte mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, të ndodhur në rrugën e UÇK-së,

Po sipas policisë, njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kuptojnë se pa shenja jete kishte mbetur viktima V. S. 22 vjeçar.

“Nga procedimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve policorë dhe krim teknikët, si prova materiale janë gjetur dy gëzhoja, një shufër metali, një shkop druri. Nga veprimet e deritanishme me autorizim të prokurorit janë arrestuar dy persona në cilësi të të dyshuarve, V. B. 17 vjeçar dhe H. V. 17 vjeçar, si dhe është konfiskuar një armë tytëgjatë e cila dyshohet se është përdorur në kryerje të veprës penale”, thuhet në njoftim.

“Veprimet hetimore janë duke vazhduar për të ndriçuar rrethanat e plota të veprës penale. Trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion mjeko-ligjor”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.