Ramush, ku ma ke kufirin, of lele, lele?!

20.09.2017 07:19:35

Nga Rexhep Kastrati

Ramush Haradinaj i ka të gjithë mekanizmat institucionalë, kushtetues dhe ligjor për të dhënë një version tjetër të demarkacionit, pra të paraqesë një version sipas të cilit do të arsyetonte kundërshtimet që ia ka bërë Marrëveshjes aktuale.

Nëse kujton se me faktin se është bërë kryeministër dhe është kryer misioni i tij, dhe tash mund të bëjë dasëm me raki e coca cola, kurse punët e shtetit, pra edhe të demarkacionit duhet t’i kryejnë të tjerët, atëherë tregon papërgjegjshmëri maksimale dhe vendin e fut në kaos të plotë.

Aq më tepër kur thotë se këtë Marrëveshjen aktuale do e rrëzojë në Kuvend dhe situata do të ndërlikohet skajshmërisht, pasi që në njërën anë do të zhbëhet kjo marrëveshje, e në anën tjetër do të vendi do të ballafaqohet me kundërshtimin e Malit të Zi për të rinegociuar!

Edhe nëse Mali i Zi do të jetë i gatshëm për rinegocim, përsëri do të bëhet në bazë të parimit kadastral. Ramush Haradinaj si kryeministër do të duhej të kishte të bazuar versionin e paraqitur gjatë kohës kur kërcënonte me grushtshtet.

Tash e ka edhe Bulliqin, edhe Çunin, edhe çunët e tjerë dhe t’i mbushin plisat me dhe Kosove dhe ta shtyjnë kufirin tutje.

Ramushi, Bulliqi, Albini, Limaj dhe gjithë soji i tyre duhet të japin versionin që kanë mbrojtur, e jo të luajnë lojra të ndyra në dëm të Kosovës.

Nëse do të shpreheshim tallavisht si Labi, do të duhej ta pyesnim: Ramush, ku ma ke kufirin, of lele, lele!?