Bruksel, Bushati merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

07.12.2016 21:27:49

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në Samitin e përvitshëm të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “Friends of Europe”, me temë “Ballkani – Duke nxitur ndërlidhjen gjatë rrugës për në BE”.

Në këtë Samit të nivelit të lartë ishin të ftuar dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Johannes Hahn, ish-Komisioneri Stefan Fule, Drejtorja për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm të BE-së Angelina Eichhorst, eurodeputetja Tanja Fajon, si dhe shumë personalitete të tjera dhe studiues të çështjeve evropiane.

Ndër temat e diskutuara në Samit ishin rigjallërimi i procesit të integrimit evropian, nxitja e biznesit dhe investimeve në rajon, ndërlidhja në rajon, migracioni, punësimi, bashkëpunimi rinor, dhe rreziku i radikalizmit.

Ministri Bushati, gjatë fjalës së tij në panelin e “Anëtarësimit në BE– rruga e gjatë nga vizioni në realitet” u ndal tek kontributi i veçantë e pozitiv që ka dhënë anëtarësimi në BE në procesin e demokratizimit dhe shtet-konsolidimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe bashkëpunimin rajonal. Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, duke theksuar se “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë partnerë të rëndësishëm dhe luajnë një rol të posaçëm në arkitekturën e sigurisë se kontinentit. Ndaj kjo qasje pozitive strategjike duhet reflektuar dhe në politikën e zgjerimit e cila do të jetë në përfitimin reciprok të të dyja palëve”, – nënvizoi Ministri Bushati.

Duke u ndalur në miratimin e ligjit të Vetting-ut për jetësimin e reformës në drejtësi, Ministri Bushati u shpreh se “Komisioni Evropian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit të ligjit të Vetting-ut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të ketë në përmbushjen e prioriteteve të tjera kyçe”.