Zhduken dy 17-vjeçarë në Korçë, dyshohet se janë mbytur në rezervuar

19.08.2016 22:25:42

Dy 17-vjeçarë janë denoncuar si të zhdukur nga familjarët e tyre. Familjet e dy adoleshentëve kanë bërë denoncimin në Polici, ku janë shprehur se dyshojnë që të rinjtë mund të jenë mbytur në një kënetë midis fshatrave Qatrom dhe Polem në Korçë.

Ata thonë se i kanë kërkuar gjatë gjithë ditës, por nuk i kanë gjetur.

Policia e Korçës ka nisur menjëherë kërkimet për dy djemtë, të cilët janë kushërinj me njëri-tjetrin.

Sipas hetimeve të para, dy djemtë janë parë teksa futeshin për t’u larë në rezervuarin e fshatit Qatrom dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë mbytur në ujërat e tij.